ERSEKE, 14 shkurt 2013 – Gjatë kryerjes së autopsisë në trupin e autorit të krimit të dyfishtë në Ersekë, mjekët ligjorë kanë zbuluar në rrobat e Fatos Kapllanit një letër drejtuar të dashurës së tij, por që viktima nuk e mori kurrë në dorë. Duket se 45 vjeçari e kishte paramenduar krimin që më parë, meqë në letër theksohet se ai më mirë pranonte ta vriste të dashurën sesa ta linte të ndahej nga Antoneta Pjetri. Njëkohësisht edhe fakti që shkoi i armatosur në shtëpinë e saj flet për një krim të paramenduar.
“Unë sakrifikova familjen, fëmijët dhe veten time për ty. Ti nuk mund të më lësh se unë do të të vras. Kemi 4 vite e gjysëm bashkë dhe nuk do të më lësh, sepse unë të vras”,- shkruhet në letrën që mesa duket babai i dy fëmijëve e ka shkruar para se të shkonte mëngjesin e sotëm në shtëpinë e të dashurës së tij.
Ngjarja
Një ngjarje tragjike ka tronditur mëngjesin e sotëm qytetin e Ersekës. Ish zjarrfikësi, Fatos Kapllani, baba i dy fëmijëve ka ekzekutuar me automatik, të dashurën e tij Antoneta Pjetri dhe më pas është vetëvrarë. Ngjarja e rëndë është regjistruar në shtëpinë e viktimës, para syve të nënës së saj, pikërisht mëngjesin e Shën Valentinit.
Sipas nënës së 32-vjeçares, Kapllani kishte shkuar në banesën e tyre për të festuar Shën Valentinin me Antonetën, e cila i shmangej prej kohësh. Policia bën të ditur se viktima Antoneta Pjetri e kishte denoncuar autorin për dhunë para pak ditësh, por më pas e kishte tërhequr padinë.
Sipas nënës së 32 vjeçares, i dashuri i vajzës ka shtënë mbi 32 vjeçaren, kur kjo e fundit ka refuzuar të kryejë marrëdhënie seksuale me të.
Kapllani kishte një lidhje jashtëmartesore me 32-vjeçaren prej kohësh, ndërkohë që në profilin e tij në Facebook ish zjarrfikësi ka postuar shumë foto me gruan e tij dhe dy fëmijët e vegjël. Duket se ai e ka kryer krimin, pasi dyshonte se Antoneta mund të kishte ndonjë lidhje tjetër.
Fqinjët
Ndërkohë fqinjët e viktimës Antoneta Pjetrit, të cilët kanë mbetur të tronditur kur kanë mësuar ngjarjen tragjike tregojnë se 32-vjeçarja njihej si një grua serioze dhe pas divorcit jetonte me të ëmën dhe vajzën e saj, pasi i biri ndodhej në Tiranë me të atin.
Fqinjët tregojnë se kanë marrë vesh për krimin e kryer kur kanë parë nënën e vajzës të dilte nga shtëpia e mbuluar me gjak.





