Tiranë, 12 nëntor 2013- Mjafton që 0.05 miligramë për një litër Sarinë të veprojë në organizmin e njeriut për dy minuta dhe pas kësaj ai rrezikon të vdesë. Ky është shpjegimi që vjen nga specialistë të kimisë për efektin që ka Sarina, njëri prej elementëve përbërës të armëve kimike që priten të importohen drejt vendit tonë. Sipas ekspertëve kimikë, Sarina ose e quajtur ndryshe Eteri Izopropilik i Acidit Metilfluorfosforik është një lëng pa ngjyrë ose pak në të verdhë. “Tretet mirë në ujë dhe në tretësit organikë. Hidrolizohet relativisht ngadalë.

Ambienti acid e shpejton, hidrolizon. Sarina nuk ka erë, është lëndë helmuese luftarake e paqëndrueshme. Sarina kur vepron në organizëm ka karakteristikat e Tabunit (një lëndë tjetër helmuese luftarake, me veprim nervo-paralizues”, por me aftësi toksike më të mëdha. Përqendrimi prej 0.05 miligramë/litër gjatë dy minutave është vdekjeprurës, ndërsa 0.002 miligramë për litër gjatë dy minutave shkakton miozë”, përcaktojnë ekspertët e kimisë për efektin që ka Sarina për organizmin e njeriut dhe kryesisht për rrugët e frymëmarrjes. Në rast të veprimit të Sarinës, krijohen 2.5-3 avuj në orë në rrugët e frymëmarrjes dhe 3-4 avuj në sy. 

Efekte mjaft të dëmshme për organizmin e njeriut dhe konkretisht mbi lëkurë. Është edhe gazi Iprit ose siç quhet ndryshe gazi Mustardë, për shkak të aromës që ka ai. “Gazi Iprit quhet ndryshe Sulfuri i Diklor Dietilit. Është lëndë pa ngjyrë, i pastër, tretet pak në ujë. Tretet mirë në tretësit organikë, hidrolizohet ngadalë. Bazat dhe nxehtësia e shpejtojnë hidrolizën. Është lëndë helmuese luftarake e qëndrueshme”, bëjnë me dije ekspertët kimikë. Përveç kësaj, ata shpjegojnë se në momentin që ky gaz vepron në organizmin e njeriut, ka veprim gërryes në lëkurë, me periudhë të fshehtë veprimi dy deri në dhjetë orë. “Përqendrimi i avujve prej 2 miligramë/litër, kur vepron gjatë dy minutave shkakton plagë të mëdha. Doza më e vogël që vepron në lëkurë është 0.01 mg/cm katror.
Në momentin që vepron Ipriti, në lëkurë krijon 21-26 pika dhe po kaq avuj krijon edhe në sy dhe në rrugët e frymëmarrjes”, bëjnë me dije ekspertët kimikë, të cilët nuk pranojnë të flasin me emër për shkak të frikës së largimit nga vendi i punës. Për të gjitha efektet e mësipërme të dy lëndëve që mendohet se do të importohen drejt vendit tonë, specialistët kimikë kanë dalë kundër procesit të asgjësimit të armëve kimike në Shqipëri. Duhet theksuar se këto armë nuk kanë asnjë rrezik deri në momentin që ato nuk asgjësohen. Kjo, për vetë faktin, siç shpjegojnë specialistët, sepse në gjendje normale këto lëndë nuk kanë efekte, por efekti krijohet nëse gjatë asgjësimit ndodh një aksident dhe pas kësaj pasojat janë të pariparueshme.
 
Asgjësimi 
Deri më tani është folur se në Shqipëri është bërë asgjësimi i lëndëve helmuese luftarake për herë të fundit në vitin 2007. Por sipas specialistëve kimikë të Forcave të Armatosura, asgjësimi i fundit është bërë në vitin 2012 dhe ka qenë asgjësimi i kimikateve laboratorike në Laboratorin Qendror të Forcave të Armatosura. Veç kësaj, specialistët bëjnë me dije se në Qafë-Mollë aktualisht ka lëndë të parrezikshme, të cilat po riambalazhohen dhe nuk po kryhet asnjë aktivitet tjetër i fshehtë. 
Ekspertët kimikë paraprakisht theksojnë se nëse armët kimike vijnë në formën e predhave, ato fillimisht duhet të demontohen dhe më pas të asgjësohen, proces që zgjat edhe me vite të tëra. “Për asgjësimin e 16 tonëve në vitin 2007 u deshën 16 muaj”, pohojnë ekspertët, kështu që për asgjësimin e 1000 tonëve të Sirisë duhen më shumë se tetë vjet, por gjë që nuk mund të thuhet e prerë, pasi varet nga lloji i lëndëve. 

Ekspertët thonë se padyshim që para procesit të asgjësimit, duhet të bëhet monitorimi i ndotjes së mjedisit ku do të vendosen këto armë dhe më pas bëhet asgjësimi. Pas përfundimit të këtij procesi, bëhet edhe njëherë monitorimi i ndotjes së mjedisit, sepse pas asgjësimit ngelen pas mbetjet kimike, të cilat veprojnë për vite me radhë. Dhe në rastin e armëve kimike, sipas specialistëve, nëse ato vijnë në Shqipëri, duhet që mbetjet kimike të largohen jashtë vendit tonë pas asgjësimit, sepse në të kundërt, ky vend merr fund.
 
/Gazeta Shqiptare/