29 prill 2014 – Rreth 24 orë pas gjetjes është bërë i mundur zbulimi i misterit që shoqëronte gjetjen e një këmbe njeriu në bregdetin e Shëngjinit.

Policia e Lezhës ka arritur në përfundimin se këmba i përket një të moshuari nga Mirdita.

Në muajin shkurt të këtij viti, këtij shtetasi i ishte prerë këmba në spitalin e Lezhës dhe familjarëve u është dhënë gjymtyra e prerë nga kryeinfermieri i këtij spitali.

Megjithëse e kanë dashur gjymtyrën e të afërmit të tyre, familjarët e 74 vjeçarit M.Gj. e kanë hedhur atë më pas në lumin Mat. Rrjedha e lumit e ka çuar atë në det, për të përfunduar më pas në bregdetin e Shëngjinit, ku u gjet nga banorët e zonës.

Policia për këtë ngjarje ka nisur procedimi penal në ngarkim të 32-vjeçarit Enkeled G, banues në Lezhë, Kryeinfermier i Spitalit Rajonal, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”. Në kundërshtim me rregullat e spitalit ai i ka dhënë gjymtyrën e prerë familjarëve.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/