Pasditen e së enjtes pritet të inaugurohet në shëtitoren “Taulantia” monumenti “Sono Persone/Janë Njerëz”, ideuar nga artistja italiane Jasmine Pignatelli.
Operatori i “DurrësLajm”, Sokrat Toçi sjell pamjet e para filmike nga monumenti që ka përfunduar së vendosuri në shëtitore.
Veçantia e këtij monumenti është qasja dy dimensionale e vetë objektit, i cili ka formën e bashit të anijes por njëkohësisht edhe formën e një libri të hapur. Në anët e jashtme të librit ka një tekst dedikues të shkruar në alfabetin “mors’:
“Janë njerëz, njerëz të dëshpëruar.
Nuk mund ti’kthejmë pas,
ne jemi shpresa e tyre e vetme”.
“Sono Persone, persone disperate.
Non possono essere rispedite indietro,
noi siamo la loro unica speranza”.
Ky monument i vendosur në Shëtitoren “Taulantia”, është në simetri me binjaken e vet të instaluar në Lungomaren e Barit. Ndërkohë, që ceremonia e inagurimit të monumentit “Sono Persone/Janë Njerëz”, në Bari, do të zhvillohet më datë 8 gusht 2021.
Vendosja e këtyre monumenteve përballë njëra tjetrës, është simbol i vazhdimësisë së dialogut kulturor dhe marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy qyteteve tona që lagen nga i njëjti det, deti Adriatik. Për më tepër, simetria e monumenteve në distancë dëshmon jo vetëm kujtesën historike, solidaritetin dhe humanizmin reciprok, por njëkohësisht edhe ndjenjën e miqësisë midis dy popujve tanë.
Ishte viti 1991 kur Italia zbuloi se ishte një tokë e premtuar për mijëra shqiptarë që mbërritën në portin e Barit nga Durrësi, të grumbulluar në bordin e anijes ‘Vlora’. Popullsia e Barit u tregua shumë e gatshme për të ofruar ndihmën e saj për 20,000 mijë emigrantë shqiptarë. Fjalët e kryetarit të atëhershëm Enrico Dalfino u mirëpritën nga qytetarët, duke gjeneruar një përqafim kolektiv dhe një ndjenjë humanizmi dhe vëllazërie ende në ditët e sotme, akoma më të gjallë se kurrë.
Instalimi i përhershëm i këtij monumenti të ideuar nga Jasmine Pignatelli, si një homazh për figurën e Enrico Dalfino dhe si përqafimin kolektiv ndaj fjalëve të këtij të fundit, i është dhuruar Bashkisë së Durrësit nga APS Cellule Creative dhe nga një grup mbështetësish së bashku me Bashkinë e Barit në shenjë e këtyre vlerave të pandryshuara.
Për më tepër, nga regjisori Francesco Castellani, është përgatitur edhe nje film-dokuementar ‘DA LEVANTE A LEVANTE’, dokumentar ky i cili pasqyron dëshmi, foto, histori njerëzore si edhe disa fragmente gjatë fazës së ndërtimit të dy monumenteve.