Kur arrihet lumturia e vërtetë? Kjo është pyetja që ka shoqëruar një nga studimet më të gjata shkencore në histori, i nisur nga Universiteti i Harvardit në vitin 1938. Pas më shumë se tetë dekadash vëzhgimesh mbi jetën e 268 studentëve – prej të cilëve vetëm 19 janë gjallë sot dhe janë rreth 90 vjeç – studiuesit kanë arritur në një përfundim befasues: njerëzit ndihen më të lumtur rreth moshës 60-vjeçare.

Sipas profesor Robert Waldinger, psikiatër dhe drejtues i studimit, nuk janë pasuria, gjenet apo inteligjenca ato që ndikojnë më shumë në lumturinë dhe jetëgjatësinë tonë. Faktori më i rëndësishëm është cilësia e marrëdhënieve që kemi me njerëzit rreth nesh.

“Marrëdhëniet e forta mbrojnë individin nga trishtimi, ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit mendor dhe fizik, dhe ndikojnë më shumë sesa kolesteroli apo situata ekonomike,” shprehet Waldinger.

Studiuesit theksojnë tri shtylla kryesore për një jetë të gjatë dhe të lumtur:

  • Të duash dhe të jesh i dashur.
  • Një martesë e qëndrueshme.
  • Kujdesi për trupin, me shmangie të konsumit të tepruar të alkoolit dhe duhanit.

Ky studim është një thirrje për të investuar më shumë në lidhjet njerëzore sesa në pasurinë materiale. Në fund të fundit, lumturia nuk matet me gjëra, por me marrëdhënie të ndërtuara me dashuri dhe kujdes. Dhe sipas shkencës, mosha e artë e shpirtit është ajo e 60-tave.