26 shtator 2014 – Kohet e fundit është zbuluar një anije 100-vjeçare e mbytur në ujërat shqiptare. Anija është civile, por e pajisur me mitroloz që të bën të dyshosh se është përdorur për qëllime ushtarake.
Anija është zbuluar gjatë një ekspedite të organizuar nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit me specialistet amerikane të hartografisë navale. Anija misterioze duket se është goditur teksa ka qenë në lundrim dhe ka rënë në thellësi të madhe.
Nga fotot që ofron roboti nënujor shikohen qartë mitrolozi i vendosur në bash i mbështjellë nga algat e shumta si dhe oxhaku i avullit. Anija mendohet se është mbytur gjatë Luftës së Parë Botërore e goditur nga një silurë i nëndetëseve austriake, të cilat patrullonin edhe detin Adriatik nga baza navale austro-hungareze e Kotorit.
Në kuadër të 100 vjetorit të Luftës së Parë Botërore, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, së bashku me specialistë të fushës, po punon për identifikimin dhe zbardhjen e disa prej tragjedive navale të ndodhura në detrat shqiptare. Në këtë kuadër ishin edhe xhirimet e fundit në reliktin historik të anijes se koracuar “Regina Margerita”, e cila u mbyt nga nëndetësja “Austria” në Gjirin e Vlorës.





