Një prej autorëve të grabitjes së banesës në fshatin Kamenicë të Korcës është arrestuar nga policia. Në pranga është vënë shtetasi Enkeledi Kajo 30 vjeç lindur në fshatin Nikolicë-Korçë, i cili banon në Durrës dhe rezulton i dënuar më parë për vjedhje.
Policia e Korçës sqaron se 30-vjeçari u kap në flagrancë, në tentativë për të kryer vjedhjen e një banese tjetër po në këtë fshat.
“Arrestimi i tij u bë pasi më datë 27.03.2017, në fshatin Kamenicë – Korçë, ky shtetas u kap në tentativë për të vjedhur në banesën e shtetases E.M., 43 vjeçe. Gjithashtu nga shërbimet e Policisë, po vijon puna për dokumentimin e plotë me prova ligjore, të vjedhjes me dhunë të banesës së shtetasit N.B., 53 vjeç, ngjarje e ndodhur më datë 27.03.2017 në fshatin Kamenicë. Pasi nga hetimet e kryera, shtetasi i lartpërmendur dyshohet të jetë njëri prej autorëve të mundshëm të saj. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit tjetër të implikuar në këtë ngjarje”, informon policia.
Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.





