Tre persona kanë rënë në pranga pasi një shtëpi bari u zbulua në Laknas. Dy vëllezër kishin përshtatur banesën me llamba për kultivimin e kanabisit. Në pranga ra edhe një punonjës i OSHEE-së për shpërdorim detyre.
Në kuadër të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 finalizuan operacionin policor të koduar “Llamba”, në kuadër të të cilit u identifikua një banesë, në fshatin Laknas, e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, ku për rritjen e tyre ishin instaluar pajisje ndriçimi dhe ventilimi, ndërsa energjia elektrike merrej në mënyrë të paligjshme.
Gjatë operacionit u arrestuan 2 autorët e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, të cilët kultivonin bimët në ambientet e kësaj banese, konkretisht shtetasit Sh. M., 38 vjeç dhe F. M., 28 vjeç.
Po ashtu, në vijim të veprimeve, u procedua në gjendje të lirë babai i tyre, shtetasi Z. M., 66 vjeç, pasi dyshohet se kishte dijeni për këtë veprimtari të paligjshme dhe nuk e kishte kallëzuar.
Në vijim të hetimeve, është vënë në pranga edhe punonjësi i OSHEE-së, shtetasi E. P., 29 vjeç, për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar këtë veprimtari kriminale duke mos evidentuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike.
Gjatë kontrollit të banesës, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 20 bimë narkotike Cannabis Sativa, rreth 60 cm të larta, një sasi me lëndë narkotike kanabis të përpunuar, 5 llamba speciale për ndriçim dhe ngrohje, 2 filtra për pastrimin e aromave, 3 ventilatorë freskues, 2 pajisje për matjen dhe rregullimin e temperaturës dhe pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivimin në ambiente të mbyllura.