Një zbulim i rrallë dhe i rëndësishëm për botën e shkencës është bërë në Arizonë të Shteteve të Bashkuara: një specie e re pterosaure, një zvarranik fluturues që ka jetuar më shumë se 200 milionë vjet më parë. Sipas studiuesve të Institutit Smithsonian në Washington DC, kjo është pterosauri më i hershëm i zbuluar ndonjëherë në Amerikën e Veriut.

Fosili i përket një zvarraniku fluturues që ka jetuar në periudhën Triasike, një epokë ku dinosaurët sapo kishin filluar të shfaqeshin. Edhe pse kocka e nofullës së pterosaurit u gjet për herë të parë në vitin 2011 në Parkun Kombëtar të Pyllit të Petrifikuar, vetëm falë teknikave të avancuara të skanimit u bë e mundur identifikimi i tij si një specie krejtësisht e re për shkencën.

Zvarraniku është pagëzuar me emrin Eotephradactylus mcintireae, që do të thotë “perëndesha e agimit me krahë hiri”, një referencë për hirin vullkanik që ndihmoi në ruajtjen e eshtrave të tij në një shtrat të lashtë lumi.

Sipas Dr. Kligman, paleontolog në ekipin kërkues, kjo fosil është rreth 209 milionë vjeç dhe zbulimi i saj është veçanërisht i vlefshëm sepse kockat e pterosaurëve janë zakonisht shumë të vogla, të holla dhe të brishta, ndaj rrallëherë ruhen si fosile.

“Fakti që kemi arritur të njohim kockat e pterosaurëve në sedimente të lashta të lumenjve, na bën të besojmë se mund të ketë shumë vende të tjera në botë ku fosile të ngjashme mund të ruhen ende,” tha Dr. Kligman për BBC News.

Në të njëjtin vend u gjetën edhe fosile të tjera, përfshirë kocka, dhëmbë, luspa peshqish dhe madje edhe jashtëqitje të fosilizuar (coprolite), që së bashku ofrojnë një pamje unike të një ekosistemi 200 milionë vjeçar. Shtrati fosil mban gjurmë të një periudhe të tranzicionit evolucionar, ku kafshë të lashta që më vonë u zhdukën, jetonin krahas krijesave që i ngjajnë atyre që njohim sot, si bretkosat dhe breshkat.

Analiza e dhëmbëve të pterosaurit ka treguar një konsum të lartë në majat e tyre, çka sugjeron se ky zvarranik ushqehej me kafshë të mbuluara me luspë të forta, si disa peshq të lashtë. Me përmasa të ngjashme me një pulë deti, kjo specie kishte krahë të mëdhenj që e bënin të aftë për fluturime të gjata mbi superkontinentin e dikurshëm Pangea.

Zbulimi është publikuar në revistën shkencore Proceedings of the National Academy of Sciences dhe pritet të hapë rrugën për kërkime të reja mbi jetën e hershme në Tokë dhe evolucionin e pterosaurëve.