Analizat e kryera nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë kanë identifikuar një variant të rrezikshëm të gripit të shpendëve, i cili mund të kalojë edhe tek njerëzit dhe të shkaktojë infeksione serioze.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njoftoi se Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (AKVMB) ka konfirmuar praninë e sëmundjes së Influencës Aviare me patogjenitet të lartë (H5N1) në një fermë familjare në fshatin Mëzez të Tiranës.

“Për kontrollin efikas dhe të menjëhershëm të situatës në terren, mëngjesin e sotëm, përfaqësues të MBZHR dhe AKVMB inspektuan nga afër vatrën e identifikuar si pozitive, në fshatin Mëzez, Njësia Administrative Kashar,” thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Bujqësisë.

“Shërbimi Veterinar mbikëqyri dhe monitoroi, nëpërmjet kampionimit, edhe ferma të tjera të vogla familjare, të pranishme në zonën e mbrojtjes dhe të mbikëqyrjes, për t’i dërguar ato pa vonesë në Laboratorin e Referencës – ISUV,” shtohet në njoftim.

Ministria e Bujqësisë informoi se shërbimi veterinar i AKVMB ka karantinuar vatrën dhe zonat e mbrojtjes dhe mbikëqyrjes, me qëllim izolimin dhe parandalimin e përhapjes së infeksionit.

“Është njoftuar Instituti i Shëndetit Publik për të kryer procedurat e nevojshme për kontrollin dhe vlerësimin e riskut,” theksoi Ministria e Bujqësisë.

H5N1 është një nga viruset e gripit që shkakton sëmundje respiratore tek shpendët dhe mund të transmetohet duke shkaktuar sëmundje edhe tek njerëzit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), infeksioni nga virusi i gripit të shpendëve (H5N1) mund të shkaktojë një gamë të gjerë sëmundjesh tek njerëzit, nga të lehta deri te të rënda, dhe në disa raste mund të jetë edhe vdekjeprurës.

Që nga viti 2003 janë regjistruar afërsisht 900 raste të infektimit të njerëzve, gjysma e të cilave kanë qenë vdekjeprurëse.

Varianti H5N1 i influencës është zbuluar në vitin 1996 dhe që nga ai vit janë identifikuar shpërthime dhe vatra të ndryshme. Që nga viti 2020, një variant i këtij virusi ka shkaktuar ngordhje masive të zogjve të egër në Afrikë, Azi dhe Europë. Që nga viti 2022, janë raportuar raste në rritje të H5N1 edhe mes gjitarëve.

Sipas OBSH-së, pothuajse të gjitha rastet e transmetimit të këtij virusi tek njerëzit janë regjistruar kur këta të fundit kanë qenë të ekspozuar në kontakt me zogj të ngordhur ose mjedise të infektuara me H5N1.

OBSH thekson se vezët dhe mishi nga zona të infektuara me H5N1 mund të konsumohen, por duhet të përgatiten në mënyrë të duhur, ndërsa qumështi duhet të jetë i pasterizuar.

Në një sondazh të Universitetit të Këlnit në Gjermani, i publikuar në prill 2024 – ku morën pjesë 187 shkencëtarë, 57% mendojnë se gripi i shpendëve mund të jetë burimi i pandemisë së ardhshme globale./BIRN