Në 29 prill në Berlin do të mbahet një takim i rëndësishëm për të ardhmen e dialogut Kosovë – Serbi. Pas shumë kohësh dhe përplasjesh në distancë do të vihen edhe një herë përballë njëri tjetrit Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç. Takimi është organizuar nga Gjermania dhe Franca të cilat duket se do të paraqesin edhe një plan për zgjidhjen finale të dialogut.
Gazeta Express shkruan se në takim do të marrin pjesë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron të cilët do të zbulojnë një plan konkret.
“Nëse janë të vërteta ato çfarë po fliten për këtë plan, atëherë shumëkush do ta kërkojë atë planin për ndarje territoriale. Po flitet për sovranitet të dyfishtë. Kosova ta ruajë integritetin territorial, por Serbia do të gëzojë njëfarë sovraniteti mbi serbët në Kosovë dhe mbi kishat serbe”, – tha një burim i Gazeta Express.
Sipas tij, në mënyrë që të mos tingëllojë shumë agresive, ka mundësi që Kosova një pjesë të sovranitetit të saj t’ia kalojë Brukselit, e pastaj ky i fundit, Serbisë.
“Po përmenden raste të ndryshme nëpër botë si një mënyrë për ta akomoduar edhe Serbinë edhe Kosovën, mirëpo gjërat nuk do të janë aq të thjeshta”, – ka thënë ai duke shtuar që pjesëmarrja e Ramush Haradinajt në Berlin vetëm sa e bën të gjithë situatën edhe më të paqartë.