Një zbulim i papritur është regjistruar në zonën e Akërnisë, pranë Vlora, ku gjatë shpimeve për studimin e tokës është konstatuar prani gazi natyror. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të hidrovorit të zonës dhe vetëm pak kilometra nga aeroporti i ri.
Sipas burimeve nga terreni, një firmë private që po kryente punime gjeologjike ka hasur në këtë fenomen gjatë ditëve të fundit. Menjëherë pas konstatimit, zona është rrethuar me shirita sigurie, duke treguar se janë marrë masa paraprake për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.
Bëhet me dije se shpimet kanë arritur deri në një thellësi prej rreth 70 metrash, ndërsa prania e gazit është evidentuar prej afro 10 ditësh. Megjithatë, deri në këto momente nuk ka asnjë reagim zyrtar nga institucionet përkatëse, as mbi llojin e gazit të zbuluar dhe as mbi hapat që do të ndiqen në vijim.





