Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka propozuar Ilir Prodën si kandidat për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili aktualisht është drejtor i DVP Elbasan. 

Mësohet se Ilir Proda mund të ketë në dorë drejtimin e policisë, teksa në mars të këtij viti kaloi edhe procesin e vetting-ut të Policisë së Shtetit. 

Me një karrierë gati 19 vite në Policinë e Shtetit, Ilir Proda së fundmi mbante prej marsit të vitit të kaluar postin e drejtorit të Policisë Elbasan. 

Proda ka nisur rrugëtimin e tij në uniformat blu në vitin 2005 fillimisht si specialist i policisë kriminale në komisariatin nr. 3. 

Më pas për shumë vite ka shërbyer si specialist në komisariate dhe në drejtorinë e përgjithshme. 

Në 2013 ai emërohet shef komisariatit nr. 2 në Tiranë, detyrë të cilën e mbajti gati një vit dhe dy vite të tjera, deri në vitin 2016 shërbeu si shef i komisariatit të Bulqizës. 

Në korrik të vitit 2019 pasi merr gradën kryekomisar ai emërohet zv. drejtor për hetimin e krimeve në Korçë. 

Ndërsa në 2021 emërohet në po të njëjtën detyrë në policinë e Elbasanit. 

Në mars të vitit 2023, pasi mori gradën drejtues, ai u emërua drejtor i policisë Elbasan. 

Proda ka diplomë avokati dhe master shkencor për të drejtë penale. Po ashtu ka marrë pjesë në kurse e seminare të ndryshme ku është pajisur me certifikatë.