Paga minimale në sektorin privat, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, pritet të rritet 2 mijë lekë në muaj. Ministria e Financave ka përfunduar debatin e diskutimit mes nivelit 23 mijë dhe 24 mijë lekë të pagës minimale, për efekt të sigurimeve shoqërore.
Burime zyrtare në Ministrinë e Financave thanë për “Panorama” se qeverisë do t’i propozohet për miratim vendimi për rritjen e pagës në nivelin e 24 mijë lekëve. Në diskutim kanë qenë 3 variante të propozuara në Këshillin e Punës, pasi nuk u dakordësua një propozim final për t’ia dërguar për miratim qeverisë. Por, nga ana e Ministrisë së Financave, debatet u zhvilluan për dy nivelet e rritjes, atë për 1 mijë lekë dhe 2 mijë lekë në muaj. Për Financat maksimumi i pagës minimale pritet të jetë 24 mijë lekë në muaj, një rritje prej gati 9 për qind nga niveli aktual.
VARIANTET E PROPOZUARA
Më herët, Këshilli Kombëtar i Punës nuk arriti në një konsensus për nivelin e ri të pagës minimale që do t’i propozonte për miratim qeverisë. Në Këshillin e Punës u paraqitën tri variante për rritjen e pagës minimale. Biznesi propozoi rritje të pagës minimale në nivelin e 24 mijë lekëve, ndërsa për fasonët në nivelin e 23 mijë lekëve dhe për vitet në vijim, të ndiqej kostoja e inflacionit. Përfaqësuesit e sindikatave propozuan rritje të pagës minimale në nivelin 26 mijë lekë, duke u tërhequr nga propozimi i parë prej 28 mijë lekësh.
“Të gjitha industritë pranojnë rritje të pagës minimale me 2 mijë lekë të rinj. Për fasonët kemi këtë propozim, meqenëse punojnë me kontrata të nënkontraktuara në fillim të vitit dhe kjo u rrit koston, sivjet të bëhet 1 mijë lekë rritja, ndërsa vitet e tjera të ndjekë normën e inflacionit”, u shpreh Presidenti i “BiznesAlbania”, Luan Bregasi, në mbledhjen e mbajtur më herët nga Këshilli i Punës.
EFEKTET
Për rritjen e pagës minimale, qeveria ka marrë konsensusin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku nga ana e Ministrisë së Financave i është paraqitur edhe studimi për konkurrueshmërinë. Aktualisht, niveli i pagës minimale është 22 mijë lekë. Referenca zyrtare ka ngelur te 22 mijë lekë, e pandryshuar që nga viti 2013, por për qeverinë nuk kanë qenë më në diskutim të ardhurat e disponueshme, por dimensioni i konkurrueshmërisë.
Vendi ynë aplikon një pagë mujore më të ulët se vendet e tjera të rajonit, me përjashtim të Kosovës, e cila e bazon pagën minimale mbi moshën e të punësuarit. Konkretisht, në Greqi, paga minimale është 700 euro, në Serbi 250 euro, në Mal të Zi 290 euro dhe Maqedoni 200 euro.