TIRANË 14 shkurt 2014 – I është grabitur një taksisti nga Bërzhita dhe më pas është shitur në treg të zi. Ky është rrugëtimi i celularit që do të mundësonte shpërthimin në makinën e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi pak kohë më parë. 
Sipa informacioneve të fundit, Redon Asllani është personi që i grabiti celularin një taksisti nga Bërzhita, më pas ai e ka nxjerrë atë në tregun e zi të telefonave tek “Dollari”. 
Pikërisht në këtë treg telefoni është blerë nga Juljan Sinanaj dhe më pas është përdorur për të instaluar tritolin e telekomanduar në makinën e prefektit Dervishi.
Sasia prej 200 gramësh eksploziv C4 i gatshëm për shpërthim u gjet në makinën e prefektit Dervishi në momentin që ky i fundit po parkonte pranë Kryeministrisë. Lënda eksplozive u zbulua teksa automjeti po kontrollohej nga punonjës të Kryeministrisë.

SHPERBLIMI PËR SINANAJ, NËSE VRISTE PREFEKTIN E VLORËS

Julian Sinanaj, i dyshuar si killer me pagesë ka përfituar dy shtëpi në qarkun e Vlorës, për ekzekutimet që do të kryente. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar dy kontrata noteriale, ku vërtetohet kalimi i pronësisë së këtyre pronave të paluajtshme në emrin e nënës së Julianit, Zana Sinanajt. 
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se nga njëra kontratë e firmosur para noteres A.M, rezulton që Marjon Mitro, i dyshuar si porositës i lëndës eksplozive që u zbulua më 13 janar 2014 në makinën e prefektit të qarkut të Vlorës, Besnik Dervishi, i ka kaluar në pronësi nënës së të dyshuarit Sinanaj, një pronë të paluajtshme, konkretisht një shtëpi. 
Kjo pronë, nga verifikimet rezulton se ndodhet brenda në qytetin e Vlorës dhe dyshohet që i është dhënë Sinanajt, si ‘shpërblim’ për ekzekutimin që duhet të kryente, atë të Dervishit, plan të cilin ai nuk mund ta realizonte, pasi lënda eksplozive u zbulua teksa makina e prefektit po hynte në parkimin e Kryeministrisë.