39-vjeçari Mentor Zeka (ne foton poshte) nga Peja, pasditen e të hënës, u qëllua për vdekje me dy plumba në trup pas një përleshje brenda veturës së tij, me shokun e tij Kreshnik Haliti. Ngjarja ndodhi para lokalit të viktimës, në lagjen “Fidanishte” të Pejës. Përleshja mes tyre dyshohet se ka nisur për shkak të një shume parash që dorasi ia kishte marrë me fajde viktimës. Policia ka arrestuar të dyshuarin, 39-vjeçar, po ashtu nga Peja. Familjaret e asnjërës palë nuk komentojnë ngjarjen e djeshme.
Një zënkë mes dy shokëve pejanë Kreshnik Haliti dhe Mentor Zeka ka përfunduar me fatalitet për 39-vjeçarin Zeka, pasi u qëllua disa herë me thikë, e më pas me dy plumba nga i dyshuari Haliti. Ngjarja ka ndodhur të hënën, rreth orës 16:00, në lagjen “Fidanishte” të Pejës, pranë një kafeneje pronë e viktimës, raporton Gazetaexpress.
I dyshuari 39-vjeçar më pas ishte larguar nga vendi i krimit, me po të njëjtën veturë, për t’u arrestuar disa orë më pas.
E gjithë ngjarja është kapur nga kamerat e sigurisë së lokalit të viktimës, me anë të së cilës edhe është identifikuar i dyshuari Kreshnik Haliti.
Sipas burimeve brenda Prokurorisë Themelore të Pejës, shkaku që ka çuar deri tek konflikti e më pas vrasja, ka të bëjë me një shumë parash që dyshohet se Haliti i kishte marrë me fajde tek Zeka.