Pas helmimit të më shumë se 30 banorëve në fshatin Gjoricë të Bulqizës nga uji i pijshëm, policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë një 64-vjeçar me iniciale K.M.
Pas hetimeve të policisë dhe prokurorisë në bashkëpunim me AKU-në rajonale, u zbulua se ishin përzier ujërat e pijshëm me ujërat e zeza në fshatin Gjoricë.
Sipas policisë, kjo ndodhi për shkak të montimit të një tubi plastik nga 64-vjeçari. Ky i fundit është pronari i një HEC-i lokal në atë zonë. Përzierja e ujërave shkakoi helmimin nga uji të disa banorëve të këtij fshati.
64-vjeçari akuzohet për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”. Pasi morën ndihmën mjekësore, të gjithë banorët u larguan në banesat e tyre dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.