Ndarja e parakohshme nga jeta e Jose Antonio Reyes ka tronditur botën e futbollit. Pasi u bë publik lajmi se Reyes vdiq pas një aksidenti të frikshëm automobilistik dhe u publikuan foto të makinës e cila ishte shkatërruar plotësisht, tashmë kanë dalë në siparfaqe fakte të reja. Shpejtësia e madhe ishte shkaktarja e këtij aksidenti të tmershëm.
Ish-sulmuesi i Sevillas, Arsenalit, Real Madridit dhe Atletico Madrid u përplas me një shtyllë, para se të përfundojë në një kanal anash rrugës, ku makina u shkatërrua nga flakët. Për pasojë humbi jetën edhe nipi i tij 23-vjeçar, ndërsa një familjar tjetër është në gjendje të rëndë.
Sipas medieve spanjolle, Reyes ka qenë në shtëpinë e tij në Utera, ku takoi gruan dhe fëmijët e tij dhe më pas u nis drejt Sevillas.
Mësohet se shpejtësia ka qenë faktori kryesor që shkaktoi këtë aksident fatal të 35-vjeçarit, i cili nuk ka mundur ta mbajë makinën në hyrje të një kthese. Plot 193 kilometra në orë ka qenë shpejtësia e makinës në momentin që është përplasur, 83 km/h më shumë sesa shpejtësia e lejuar në atë rrugë.





