Një shqiptar është arrestuar pasditen e së mërkurës në Elefsina, në hyrjen perëndimore të Athinës, i akuzuar për transport droge me qëllim trafikun. Për të njëjtat akuza janë shpallur në kërkim edhe katër persona të tjerë, një grek, një ukrainas dhe dy shqiptarë.

Arrestimi u bë i mundur pasi shërbimi antidrogë kishte kryer investigimet e nevojshme dhe kishte identifikuar gjithë skemën e trafikut dhe pjesëtarët e grupit. 25-vjeçari shqiptar u ndalua në stacionin e taksës rrugore në Elefsina.

Në makinën e tij u gjetën 105 kg kanabis, e paketuar në 20 thasë plastmasi. Droga ishte marrë në afërsi të kufirit me Shqipërinë, në zonën e Igumenicës. 25-vjeçari vepronte nën urdhrat e dy bashkatdhetarëve të tjerë që po kërkohen, ndërsa greku dhe ukrainasi kishin për detyrë të garantonin transportimin e sigurt të kanabisit.