Shqiptarët që kanë hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla, po u ofrojnë deri në 3000 paund garantuesve të rremë të shfaqen si garantorë të tyre, për t’u shmangur atyre qëndrimin në qendrat e paraburgimit.

Garantuesit po reklamojnë në platformat e mediave sociale si Tiktok dhe Facebook, duke u ofruar migrantëve një adresë në Mbretërinë e Bashkuar, në mënyrë që ata të mund të marrin lirimin me kusht dhe t’i shpëtojnë paraburgimit. Emigrantët duhet të ofrojnë dëshmi të një adrese legjitime në Britani përpara se të lirohen me kusht imigracioni.

Sipas Daily Telegraph, të cilës i referohet Top Channel, raporton se garantuesit po ofrojnë gjithashtu përmes faqes së tyre në Tiktok, heqjen e etiketave elektronike të shqiptarëve që përdoren për të parandaluar arratisjen e emigrantëve pasi të lirohen në komunitet.

Mashtrimi vjen pasi Home Office po përpiqet të përshpejtojë dëbimin e mijëra shqiptarëve që kaluan Kanalin vitin e kaluar. Shqiptarët përbënin rreth një të tretën e 47,755 emigrantëve që arritën me varka të vogla në Mbretërinë e Bashkuar vitin e kaluar.

Një përkthyes shqiptar në Londër, i cili punon për avokatë të ndryshëm të imigracionit, tha se kishte “shumë” emigrantë që kërkonin të dilnin nga qendrat e paraburgimit.

“Ky po bëhet një biznes në rritje. Gjykatat nuk pyesin fare se çfarë marrëdhënie ka personi që aplikon për lirim me dorëzanin”- tha përkthyesi, i cili kërkoi të mos përmendet.

Home Office, Tiktok dhe Facebook iu drejtuan për koment.