Policia e Tiranës ka arrestuar mëngjesin e djeshëm ish-prefektin e Fierit, Bujar Hasa njëkohësisht edhe ndërtues. Arrestimi i tij është bërë pasi gjykata e Tiranës me kërkesë të Prokurorisë ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për mashtrim. Hasa akuzohet se së bashku me një tjetër person me inicialet P.P. kanë mashtruar 2 persona, një shtetas shqiptaro-kanadez dhe një shqiptar nga Laçi duke u marrë mbi 300 mijë euro (260 mijë dollarë dhe 50 mijë euro). Ish-Prefekti Hasa, sipas policisë, i ka shitur një kanadezi me inicialet B.H. një dyqan në Tiranë, por me dokumente false, ndërkohë që i mori 260 mijë dollarë.
Sipas burimeve të prokurorisë shtetasit shqiptaro-kanadez, Hasa i ka shitur dhe tre apartamente të tjerë, ku njërin prej tyre ia ka marrë me dokumente false dhe më pas e ka vendosur kolateral në një bankë të nivelit të dytë, në të cilën kishte marrë kredi. Po ashtu edhe shqiptarit me inicialet D.M., i shiti një apartamentet me dokumente false duke e mashtruar, pasi të njëjtin apartament e kishte shitur dhe njëherë tjetër. Hetimet kanë nisur 8 muaj më parë pas denoncimit të dy personave, ndërsa vijojnë për të mësuar nëse ka persona të tjerë të mashtruar nga ish-Prefekti. Bujar Hasa ka qenë Prefekt i qarkut të Fierit në vitin 2009-2011 nga radhët e LSI-së, ndërsa në 2013 kandidoi për deputet për PDK-në.





