Në mungesë të kryeministrit Rama, numrit dy të Qeverisë, Niko Peleshi i ra barra dje të debatonte disa herë me Sali Berishën.
Kryesisht për çështjen e maturantëve, por edhe për investimet në Korçë, kur Peleshi ka qenë kryetar Bashkie dhe Berisha kryeministër.
Fjalimet e zv.kryeministrit duket se e kanë emocionuar shumë deputetin Musa Ulqini.
Në një fotografi të siguruar nga gazeta “Panorama” duket një komunikim i Ulqinit me Peleshin.
Deputeti fillimisht i shkruan “Niko më pëlqeve”.
Dhe pasi nuk merr asnjë përgjigje mbrapsht i shkruan sërish “të thashë që ishe sh mirë. E shikon si të sulmon ky idioti”. Me fjalën ‘idiot’, Ulqini duket se etiketon Berishën, i cili gjatë asaj kohe po debatonte me Peleshin.
Pas sms-së së dytë Peleshi i kthen më në fund përgjigje duke i thënë “po pra. Ky është treguesi”.
Kthimi i përgjigjes së Peleshit duket është pasuar me një sms tjetër që Ulqini i kishte përgatitur për tia çuar.
“Kësaj radhe e kishe sh inteligjent fjalën. Me një gurë vrave dy zogj njëherësh”, është sms që Ulqini po përgatitej t'i dërgonte Peleshit në momentin që u fotografua.





