Nëse të gjithë keni menduar se Renis Gjoka është kopja më e mirë e xhaxhait të tij, në fakt jo. Edhe Renisit ia njohin zërin dhe, me gjithë çjerrjen karakteristike, nuk është e vështirë ta dallosh zërin e xhaxhait nga ai i nipit. Por kjo ishte vërtet surprizë për Sandrin…

Kur në prapaskenë nisi të këndohej “Zemra e një gruaje”, Aleksandër Gjoka gati e besoi se ishte zëri i tij i shumë viteve më parë në një CD, por në fakt ishte surprizë për të. Kujt mund t’ia merrte mendja se mund të gjendej një timbër i dytë si i Sandrit?

Fjorentin Tore është një 40-vjeçar nga Fieri, i cili këndon muzikë live në qytetin e tij dhe në bregdet gjatë sezonin veror. I ka ndodhur shpesh të këndojë këngët e Sandrit dhe po aq shpesh i ka ndodhur që t’i afrohen shumë njerëz nga publiku, t’i kapin mikrofonin dhe të kërkojnë ku është CD-ja me zërin e Aleksandër Gjokës. Derisa binden se nuk është zëri i Sandrit, por i tij. /Class/