18 qershor 2015 – Dje është zbuluar se trupi i pajetë, pa kokë, krahë dhe këmbë, që u gjet në 9 qershor në Belgjikë, i përket një studenti shqiptar.
Ende nuk dihet shkaku dhe rrethanat e vdekjes, por ekspertët thanë se 22-vjeçari shqiptar i identifikuar si Xhuliano B. ishte skeduar më parë për rrahje dhe trafik kanabisi.
Lajmin e kësaj vdekjeje tronditëse e kanë pasqyruar disa media belge, si “Lacapitale”, “7sur7”, “Metrotime” etj.
Sipas tyre, zbulimin e tmerrshëm të trupit të shqiptarit e bënë disa punëtorë në një pyll, në kufirin midis Jette-s dhe Wemmel-it. Punëtorët gjetën një valixhe të madhe sportive, e cila kishte brenda një bust njeriu, të cilit i mungonte koka, parakrahët dhe një pjesë e këmbëve.
Po sipas mediave lokale në Bruksel, trupi i cunguar i Xhuliano B., është i nacionalitetit shqiptar, por nuk specifikohet nëse është shtetas i Republikës së Shqipërisë apo i ndonjë vendi jashtë kufijve. Ai ishte student në vitin e parë të Universitetit Libre në Bruksel, ku studionte për Drejtësi.
Identifikimi i viktimës u mundësua nga një tatuazh.
Nuk është përcaktuar ende sesi ka ndodhur gjymtimi, por ekspertët po kryejnë analiza për të saktësuar nëse parakrahët dhe pjesët e këmbëve i janë hequr para apo pas vrasjes. Ndërsa heqja e kokës pas vrasjes është cilësuar si shenjë e hakmarrjes së vrasësve. Specialistët po kryejnë kërkime, për gjetjen e pjesëve të tjera të trupit.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/