Prokuroria e Tiranës ka zbuluar tashmë një teknik IT, që nga brenda Drejtorisë së Tatimeve nxorri të dhënat, që përmbanin listën e pagave të mbi 650.000 shqiptarëve.
Bëhet fjalë për personin me inicialet A.A., teknik IT i Tatimeve i punësuar me një kontratë provizore në mars të 2013, e më pas i stabilizuar me kontratë me kohë të plotë në 2014.
Pas hyrjes në fuqi të VKM 673/2017, A.A., është transferuar formalisht si staf i AKSHI-t ashtu si cdo punonjës IT tjetër i punësuar pranë Ministrive të ndryshme.
Edhe pse merrte rrogën nga AKSHI, A.A., vazhdonte funksionin e tij brenda zyrave në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe pikërisht këtu policia e koordinuar nga prokuroria e Tiranës sekuestroi kompjuterin e tij, nga i cili nëpunësi i Tatimeve kishte shpërndarë database-n konfidenciale me të gjitha informacionet mbi rrogat e 650.000 shqiptarëve.
Prokuroria ka zbuluar se burimi i informacioneve të mbledhura nga A.A., ishte një kolege e tij, po ashtu nëpunëse e Tatimeve, e cila çdo muaj mblidhte informacionet mbi pagat e taksapaguesve shqiptarë për t’i shpërndarë në seli të ndryshme rajonale të Tatimeve.
Kjo shpjegon pse nga hetimet nuk ka rezultuar asnjë hakerim i serverave të Tatime.
I pyetur nga prokuroria, A.A., ka deklaruar se i ka grumbulluar këto të dhëna për qëllime studimore, por policia ka zbuluar, se në të vërtetë tema e diplomës për të cilën pretendonte se kishte mbledhur të dhënat, ishte paraqitur shumë kohë më parë, se kur ai i kishte kërkuar informacionet.
Pjesa e skandalit që mbetet ende për t’u qartësuar është se përse A.A., i shpërndau këto informacione e sidomos me urdhër të kujt.
Burime të prokurorisë bëjnë të ditur ndërkohë se kanë mbledhur prova të reja që shpejt mund të zbardhin të gjithë ngjarjen.