Xhamia e Gurit në Prishtinë është kthyer në lokacion ku zhvillohen aktivitete të prostitucionit dhe të përdorimit të drogës. Për këtë janë vënë në dijeni Bashkësia Islame e Kosovës dhe Policia e Kosovës.

Veprimet e kundërligjshme kanë ndodhur pasi xhamia nuk është në funksion të riteve fetare. Tek ajo ka filluar procesi i restaurimit para pesë vjetësh dhe punimet nuk kanë përfunduar ende, shkruan sot “Koha Ditore”.

Shqetësimin për keqpërdorimin e hapësirës së xhamisë e ka ngritur kryeimami i Prishtinës, Idriz Xhigolli, të mërkurën, në një takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, teksa është diskutuar për sigurinë në vend.

Përfaqësuesi i imamëve të Prishtinës ka thënë para të pranishmëve që ishin në takim me ministrin Hyseni, se xhematlinjtë po kërkojnë llogari nga ta, duke u shprehur të shqetësuar se si një xhami e vjetër 640-vjeçare është bërë qendër e prostitucionit.