Në mbledhjen e ditës së mërkurë të javës së kaluar, qeveria Rama mori një vendim të rëndësishëm për Durrësin, pasi miratoi një zonë të re zhvillimi, të cilën ia caktoi Fondit Shqiptar të Zhvillimit për të zbatuar projektin.

Në hartën e publikuar në fletoren zyrtare, ku shfaqet e gjithë zona për zhvillim përfshihet e gjithë qendra e Durrësit.

Në vendimin e qeverisë, nr 442, datë 3 qershor përcaktohet:

1. Shpalljen si zonë e përshtatshme për zhvillimin e detyruar, sipas hartës dhe koordinatave bashkëlidhur këtij vendimi, të zonës 5, Njësia Administrative Durrës, Bashkia Durrës, zonë e re për zhvillim.

2. Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për këtë zonë, si njësi zbatuese, për:

a) ndërtimin e banesave të reja ose të ndërtesave publike të dëmtuara;

b) ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike e kritike;

c) realizimin e ndërtimeve në këtë zonë;

ç) çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të kësaj zone.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Durrës dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.

Ende është e paqartë se çfarë projekti do të zbatojë qeveria në këtë zonë, ndërkohë që ditën e martë, në orën 10:30, në ambientet e amfiteatrit, do të nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit mes Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Durrësit dhe AADF, për hartimin e Planit të  Menaxhimit të Integruar për zonat arkeologjike A dhe B, në Durrës.

Çfarë deklaroi ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj ditën e mërkurë, 3 qershor:

“Vendimi i dytë ka të bëjë me shpalljen e zonës së re për zhvillim në Bashkinë Durrës, përkatësisht në zonën e Parkut arkeologjik, dhe caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për këtë zonë, si njësi zbatuese. Është vendim i rëndësishëm, edhe në kuadrin e ndihmës që Komisioni Europian i jep Shqipërisë me 115 milionë euro e avancuara në Konferencën e Donatorëve, nga të cilat 15 milionë euro janë në rindërtimin e 22 shkollave, 50 milionë të tjera do të shkojnë në listën e dytë që miratohet së shpejti të shkollave dhe 50 milionë të tjerë do të jenë brenda dy muajsh në proces negociimi me institucionin përkatës, në gjithë zonën e dëmtuar, në ato pika ku kemi objekte të trashëgimisë kulturore. Që do të thotë, në kuadër të rindërtimit, KE angazhon 65 milionë euro në shkolla dhe 50 milionë euro në objektet e trashëgimisë kulturore. Në zonën e re të propozuar për zhvillim, ndodhen disa prej monumenteve më të rëndësishme kombëtare, si Amfiteatri i Durrësit, Kalaja, Termat Antik si dhe një sërë monumentesh të kategorisë së parë dhe të dytë.” – tha Ahmetaj pas mbledhjes së qeverisë.

M.B.