Ndër shekuj kanë qenë të shumta domethëniet dhe atributet për këtë lule. Mitologjia e lidh karafilin me perëndeshën e gjuetisë, Dianën. Thuhet se nje pastor i ri i dashuruar marrëzisht me perëndeshën, i cili u josh në fillim prej saj dhe me pas ajo e braktisi në mënyrë mizore; nga lotët që derdhi i riu, i cili vdiq nga pasioni i dashurisë mendohet që lindi lulja e bukur e karafilit. Edhe në traditën kristiane thuhet se nga lotët që Maria me dhimbje i derdhi në këmbët e Krishtit të kryqëzuar lindën karafilat.

Në 1900, Anna Jarvis (1864-1948) – promovuesja e “ Festës së nënës” në kujtim të nënës së saj të vdekur zgjodhi një tufë me karafila të bardhë. Më pas vazhdoi si traditë që lulja ideale në festën e nënës ishte karafili.  Fëmijët mbanin në duar karafila të bardhë  per të kujtuar nënën e vdekur ose karafila të kuq per t’ia dhuruar nënës nëse i kishin gjallë.

Karafili sidomos ai i kuqi ka mbetur traditë për festën e nënës, i cili është simbol i dashurisë së saj të përjetshme. 

Por në shumë rite fetare karafilat e bardhë i mbajnë nëpër kurora  të funeraleve për të dhënë mesazhin e paqes dhe të qetësisë për shpirtin e vdekur. 

Për traditë edhe në ditët e sotme studentët e Universitetit të Oxford-it marrin me vete një karafil të bardhë ditën e provimit të parë, rozë në provimet e ndërmjetëm dhe të kuq në provimin perfundimtar.

Në gjuhën e luleve domethënia e karafilit varet nga ngjyra e tij: i kuq- dashuri pasionante, i bardhë – besnikëri, i verdhë – përbuzje, refuzim, mospërfillje, lejla – përfaqësojnë antipatinë, paqëndrueshmërinë, pabesinë.

Karafili ka aromë të mirë dhe ashtu si trëndafili përdoret shumë në raste festash dhe ceremonish të ndryshme. Në antikitet karafili konsiderohej i shenjtë nga Zeusi dhe grekët dhe njihet si “lulja e të riut”,  nga romakët antikë termi shkencor grek ‘Dianthus’ e përshkruan karafilin si "lulja e perëndive".

Në gjuhën e luleve në mesjetë karafili krahasohej me “lulen e dashurisë” dhe ndjenjave të forta, emocioneve, energjisë dhe shëndetit.

Në të shkuarën ekzistonin vetëm karafila ngjyrë roze të zbehtë dhe pjeshkë, ndërsa sot ju mund të dhuroni një tufë me karafila shumë ngjyrësh për një grua të rafinuar.

Sipas traditës karafili i kuq dhurohet për të festuar vitin e parë të martësës. Një karafil i kuq qëndronte gjithmonë në xhepin e vogël të xhaketës presidentit amerikan William McKinley.

Ne pikturat e kohës së rilindjes vëmë re që gjatë ceremonisë së martesës të sapomartuarit dhuronin karafila të bardhë, si shenjë besnikërie ndaj njëri tjetrit. Karafilat mbetën një traditë i buqetës së nuses edhe më pas.

Në shoqatat dhe vllazëritë e ndryshme karafilat i mbajnë si shenjë e kurajës.