Më pak se dy javë përpara se Donald Trump të marrë detyrën, Meta, kompania që zotëron Facebook dhe Instagram, njoftoi një sërë ndryshimesh në praktikat e saj të moderimit të përmbajtjes që praktikisht i japin fund programit të saj të gjatë të kontrollit të fakteve, (fact-checking), një politikë e krijuar për të kufizuar përhapjen e dezinformatave nëpër aplikacionet e saj të mediave sociale.
Njoftimin e bëri nëpërmjet një video shefi i META-s, Mark Zuckerberg.
“Zgjedhjet e fundit i konsiderojmë si një pikë kthese kulturore. Ne po kthehemi te rrënjët tona dhe do të fokusohemi në reduktimin e gabimeve, thjeshtimin e politikave tona dhe kujdesin ndaj lirisë së shprehjes në platformat tona“, -tha ai.
Për shumë analistë, kjo ishte një tjetër përkulje ndaj Donald Trump, i cili vazhdimisht e ka akuzuar facebook si censurues të fjalës së lirë. Madje ai e kërcënoi Zukerbergun para zgjedhjeve se nëse do të ndikonte në zgjedhje nëpërmjet censurës, do të arrestohej.
Pas rizgjedhjes së Trump, Zuckerberg u takua me presidentin e ri. Javën e kaluar, shefi ekzekutiv i Meta-s për çështjet globale, Nick Clegg, njoftoi largimin e tij, për t’u zëvendësuar nga Joel Kaplan, një republikan që ka qenë mbështetës i pretendimeve se platforma ka shtypur zërat konservatorë.
Pas takimit, Kaplan dhe Zuckerberg e konsideruan Trumpin si një kampion të shprehjes së lirë, por nuk përmendën fare sulmet e presidentit të zgjedhur ndaj kompanisë Meta.
Zuckerberg tha se verifikimi i fakteve do të zëvendësohej nga një “sistem më gjithëpërfshirës i shënimeve të komunitetit”, i ngjashëm me atë që është vendosur nga Elon Musk që kur bleu Twitter, më vonë u riemërua X.