BRUKSEL – Vendimi i Gjykatës së Tiranës që shpalli të pafajshëm të akuzuarit për vrasjen e 3 prej demonstruesve gjatë protestës së 21 janarit 2011 ka sjellë edhe reagimin e Komisionit Europian. 

Zëdhënësi i komisionerit europian të zgjerimit Stefan Fule, Peter Stano tha se Komisioni Europian është në dijeni të faktit që gjykata e qarkut në Tiranë shpalli të pafajshëm të akuzuarit për vrasjen e 3 demonstruesve të 21 janarit. 

“Komisioni Europian rikujton se në Progres Raportin e fundit ka bërë thirrje për përfundimin e gjykimit të kësaj çështje përmes një procesi të besueshëm gjyqësor. Ne theksojmë gjithashtu se vendimi mund të apelohet”-thuhet në reagimin e zëdhënësit të komisionerit europian të zgjerimit Stefan Fule, Peter Stano i cili shton se çdo polarizim i mundshëm i çështjes duhet të evitohet. 

“Komisioni rithekson se një sistem gjyqësor, i paanshëm dhe llogaridhënës, i aftë për të garantuar gjykim të drejtë është një dëshirë legjitime e qytetarëve shqiptarë dhe një element thelbësor për një sundim të fortë të ligjit, parakusht për rrugën e integrimit europian”-përfundon reagimi i zëdhënësit të eurokomisionerit Fule. 

Në dy vjetorin e ngjarjeve të 21 janarit, zëdhënësi i komisionerit europian të zgjerimit Stefan Fule, në një reagim ai deklaroi se Komisioni Europian vazhdon monitorimin e procesit gjyqësor duke e ngritur vazhdimisht këtë çështje me autoritetet shqiptare ndërsa pati ripërsëritur thirrjen për një gjykim të pavarur dhe transparent për të hedhur dritë mbi ngjarjen tragjike të 21 janarit dhe për të vënë drejtësinë në vend. Peter Stano deklaroi edhe vlerësimin e Komisionit Europian për të gjithë ata që shënuan dy vjetorin e tragjedisë në mënyrë paqësore dhe të përgjegjshme