Zef Malshi është një nga pilotët e detit, që u prezanton Durrësin anijeve me mallra që mbërrijnë çdo ditë nga dhjetra porte të botës.
Me një përvojë 40-vjeçare fillimisht si komandant anijesh tregtare dhe punonjës i administratës detare, Zefi kujton mjaft mirë ditën kur vendosi të punojë si pilot në portin më të madh të vendit.
“Ishte viti 1998 dhe sektori ku punonin pilotët me përvojë Bujar Shehdula, Beniavin Bedini, Stefan Thomai dhe Rrapi Filipi ishte privatizuar prej kohësh” – tregon Zefi.
Pilot që prej 23 vitesh, Zef Malshi ka drejtuar hyrjen e qindra anijeve tregtare, trageteve dhe anijeve ushtarake në portin e Durrësit, por sipas tij në mot të keq apo në kushte të vështira detare të papriturat janë të shumta dhe vendimet duhet të merren në pak sekonda.
“Në urën e komandimit të anijes, piloti është zyrtarisht “këshilltari” i vetëm i kapitenit, dhe hyrja në basenin portual realizohet nga piloti vendas, edhe kur ka fortunal, apo kur sistemi elektrik i anijes bllokohet” – vijon bisedën Zefi, duke kujtuar më pas manovrat në rastet ekstreme të rrezikut.
65-vjeçari vlerëson kolegët më të rinj në profesion, si Arben Bedo, Lulzim Hate, Enkelejd Shehdula e Krenar Osmani, duke shprehur njëkohësisht keqardhjen që ata së bashku nuk formuan dot “Unionin e pilotëve shqiptarë.”
“Vende të tjera në rajon e kanë, madje kanë edhe shkollë pilotimi”, – shprehet Zef Malshi, duke renditur përparësitë e sektorit dhe të profesionistëve nga ky bashkim.
Piloti nga Zejmeni i Lezhës, që u formua si profesionist në shkollën e marinës në Vlorë dhe punoi më pas në Durrës e ka lidhur jetën me detin dhe qytetin bregdetar.