Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Perëndimit që të jetë i bashkuar në ofrimin e mbështetjes për Ukrainën, teksa përballet me luftën gati dyvjeçare të Rusisë.

Ai u ka bërë thirrje aleatëve të Kievit që t’i ndihmojnë këtij vendi në krijim të superioritetit ajror kundrejt Moskës, ashtu që të sigurohet fitore në fushëbetejë.

“Duhet të kemi superioritet ajror për Ukrainën”, ka thënë Zelensky në Forumin Ekonomik Davos.

“Ashtu siç kemi arritur superioritet në Detin e Zi, ne mund ta bëjmë këtë. Kjo gjë do të mundësojë përparim në terren… partnerët e dinë çfarë duhet dhe në çfarë cilësie”, ka thënë Zelensky.

Ai ka thënë më herët se ekziston nevojë për rritje të kapaciteteve ajrore për mbrojtje, teksa ka biseduar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg, më 16 janar, në Davos, si dhe ka zhvilluar takime edhe me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Teksa Ukraina i afrohet nisjes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ne jemi pajtuar për të marrë një hap shtesë drejt nisjes së analizimit të legjislacionit të Ukrainës”, ka thënë Zelensky në X, platformë e njohur më parë si Twitter, pas takimit që ka zhvilluar me shefen e BE-së.