Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje liderëve të NATO-s që të ndërmarrin hapa konkretë drejt anëtarësimit të Ukrainës, në një samit javën e ardhshme.
Ai mori mbështetje gjatë një vizite në Pragë nga presidenti çek, i cili tha se është pro anëtarësimit të Kievit.
Ai tha se vendi i tij, i ndodhur në muajin e 17-të të luftës kundër pushtuesve rusë, kishte nevojë për shumë më tepër sesa deklarata e përgjithshme e qëndrimit prej më shumë se 10 vitesh se dera e NATO-s ishte thjesht “e hapur”.
Ukraina po kërkon një tregues të qartë nga NATO në samitin e 11-12 korrikut në Vilnius se mund t’i bashkohet aleancës ushtarake kur të përfundojë lufta.
Ukraina dëshiron të anëtarësohet sa më shpejt që të jetë e mundur, por anëtarët e NATO-s janë të ndarë rreth asaj se sa shpejt duhet ndërmarrë ai hap. Disa vende anëtare janë të kujdesshme ndaj lëvizjeve për të cilat kanë frikë se mund ta çojnë aleancën më pranë një lufte aktive me Rusinë.
“Ne po flasim për një sinjal të qartë, disa gjëra konkrete në drejtim të një ftese”, tha Zelensky në një konferencë shtypi së bashku me homologun e tij çek, Petr Pavel. “Ne kemi nevojë për këtë motivim. Ne kemi nevojë për ndershmëri në marrëdhëniet tona.”/