Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi të hënën se ka emëruar ish‑zv.kryeministren e Kanadasë, Chrystia Freeland, si këshilltare për zhvillimin ekonomik të vendit të tij.
Duke arsyetuar vendimin e tij, Zelensky përmend përvojën e Freeland në tërheqjen e investimeve.
“Pikërisht tani, Ukraina ka nevojë të forcojë qëndrueshmërinë e saj të brendshme, si për rimëkëmbjen e vendit nëse diplomacia sjell rezultate sa më shpejt të jetë e mundur, ashtu edhe për të forcuar mbrojtjen tonë nëse, për shkak të vonesave nga partnerët tanë, i duhet më shumë kohë për t’i dhënë fund kësaj lufte,” shkroi Zelensky në një postim në rrjetin social X.
Freeland, e cila ka prejardhje ukrainase, ka qenë zv.kryeministre e Kanadasë midis viteve 2019 dhe 2024. Ajo është aktualisht deputete në parlamentin kanadez dhe gjithashtu e dërguar e posaçme e Otavës për Ukrainën.





