Presidenti ukrainas ka thënë se nuk do të ishte “e përshtatshme” të mbaheshin zgjedhje ndërsa vendi vazhdon të jetë në luftë.
Ligji ushtarak u shpall në Ukrainë kur filloi pushtimi i Rusisë në shkurt 2022, duke ndaluar mbajtjen e zgjedhjeve, por ka pasur debate të shtuara brenda dhe jashtë vendit për një zgjedhje të mundshme në mars 2024.
Senatori republikan amerikan Lindsey Graham dhe zyrtarë të tjerë perëndimorë i kishin bërë thirrje Kievit që të zhvillojë një votim për të treguar se mund të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme gjatë luftës. Gjatë fundjavës, ministri i jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba tha se presidenti po peshonte të mirat dhe të këqijat e një sondazhi parazgjedhor gjatë kohës së luftës.
Por në fjalimin e mbrëmshëm me video, Volodymyr Zelensky u shpreh se: “Ne të gjithë e kuptojmë se tani, në kohë lufte, kur ka shumë sfida, është krejtësisht e papërgjegjshme të përfshihesh në tema që lidhen në një mënyrë kaq joserioze me zgjedhjet.
Ne duhet të pranojmë se kjo është një kohë për mbrojtje, një kohë për betejë, nga e cila varet fati i shtetit dhe popullit të tij… Unë besoj se zgjedhjet nuk janë të përshtatshme në këtë kohë.”
Në kohë paqeje, Ukraina do të kishte mbajtur zgjedhjet parlamentare në tetor dhe raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në fillim të pranverës 2024.