Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje Evropës që t’i përgjigjet “luftës së gazit” të Rusisë duke rritur sanksionet e saj kundër Moskës.
“Sot pamë një tjetër kërcënim gazi për Evropën. Edhe përkundër koncesionit për turbinën Nord Stream, Rusia nuk do të rifillojë furnizimin me gaz për vendet evropiane, siç është e detyruar kontraktualisht.
E gjithë kjo është bërë nga Rusia qëllimisht për ta bërë sa më të vështirë për evropianët përgatitjen për dimër. Dhe kjo është një luftë e hapur gazi që Rusia po bën kundër një Evrope të bashkuar, pikërisht kështu duhet të perceptohet. Dhe nuk u intereson se çfarë do të ndodhë me njerëzit, si do të vuajnë, nga uria për shkak të bllokimit të porteve apo nga të ftohtit dhe varfëria e dimrit. Apo nga pushtimi.
Dhe kjo është arsyeja pse është e nevojshme të kundërpërgjigjemi . Mos mendoni për mënyrën e kthimit të ndonjë turbine, por forconi sanksionet. Bëni gjithçka për të kufizuar të ardhurat ruse jo vetëm nga gazi dhe nafta, por edhe nga çdo eksport i mbetur. Dhe ndërprisni sa më shumë lidhjet tregtare me Rusinë, sepse çdo lidhje e tillë është mjeti potencial i Rusisë për të ushtruar presion.
Shantazhi me gaz i Evropës, i cili vetëm përkeqësohet çdo muaj, i nevojitet një shteti terrorist për t’i bërë jetën më keq çdo evropiani. Dhe kjo në fakt mund të perceptohet si një nxitje që paketa e tetë e sanksioneve të BE-së të jetë dukshëm më e fortë se e shtata e miratuar së fundmi.”
Kompania ruse energjetike e kontrolluar nga shteti Gazprom ka njoftuar një shkurtim drastik të dërgesave të gazit përmes tubacionit të saj kryesor drejt Evropës nga e mërkura.
Gazsjellësi Nord Stream 1 rifilloi pompimin javën e kaluar, pas një ndërprerjeje 10-ditore të mirëmbajtjes , por Komisioni Evropian ka paralajmëruar se një mbyllje e plotë e gazit nga Rusia ka të ngjarë.
Njoftimi erdhi pasi qeveritë e BE-së u grindën për një plan për një objektiv të kursimit të gazit prej 15% që synon të shmangë një krizë dimërore nëse Kremlini mbyll rubinetat për në Evropë . Qëllimi i BE-së është të përdorë më pak gaz tani për të ndërtuar depo për dimër.





