Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ishte gati të braktiste përpjekjen e Kievit për anëtarësim në NATO në këmbim të garancive të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, në një veprim që synon avancimin e bisedimeve të paqes të planifikuara për të dielën në Berlin.

“Po flasim për garanci dypalëshe sigurie midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, domethënë, garanci sipas Nenit 5 (…), si dhe garanci sigurie për ne nga partnerët tanë evropianë dhe vende të tjera si Kanadaja, Japonia dhe të tjera”, u tha Zelensky gazetarëve në një bisedë në WhatsApp sipas Financial Times.

Përballë trysnisë së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për te nënshkruar një marrëveshje për paqe, e cila fillimisht mbështeste kërkesat e Moskës, Zelensky e akuzoi Rusinë se po e zvarrit luftën përmes bombardimeve vdekjeprurëse mbi qytete dhe infrastrukturë të energjisë elektrike dhe ujit në Ukrainë.