Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky sapo ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky takohen sot në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar se si t’i japin fund luftës në Ukrainë.
Dy liderët pritet të nënshkruajnë gjithashtu marrëveshjen, që do t’i jepte SHBA-së akses në mineralet e rralla të Ukrainës.
Marrëveshja për mineralet, e negociuar përgjatë ditëve të fundit, do t’i jepte Shteteve të Bashkuara qasje të kosniderueshme tek mineralet e rralla të nëntokës ukrainase, por nuk përfshin dhënien e garancive të sigurisë nga ana e Shteteve të Bashkuara, një zhgënjim për Ukrainën.
Marrëveshja i jep Uashingtonit mundësinë që të kompensojë një pjesë nga miliarda dollarët që ka shpenzuar për mbështetjen e Kievit me armatime amerikane, përmes një fondi investimi për rindërtim të lidhur me shitjen e mineraleve të rralla të Ukrainës.
Sipas një raporti të vitit të shkuar të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, rreth 2/ 3 e fondeve të miratuara nga Kongresi për Ukrainën, janë shpenzuar në Shtetet e Bashkuara.
Ukraina shpreson që marrëveshja do të nxisë Presidentin Trump të mbështesë përpjekjet e Kievit për të rimarrë territoret që aktualisht kontrollohen nga Rusia.
Marrëveshja po ashtu mund të siguronte mbështetje nga Republikanët në Kongres për një raund të ri ndihme për vendin e goditur nga lufta.
Presidenti Trump është përplasur në distancë me homologun Zelensky gjatë javëve të fundit, duke e kritikuar atë për mënyrën se si e ka menaxhuar luftën, duke e cilësuar atë si një diktator dhe duke i bërë thirrje që të pranojë marrëveshjen për mineralet.