Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha të enjten se një armëpushim në luftën e Rusisë kundër Ukrainës nuk do të çonte në dialog politik dhe se nga diçka e tillë do të përfitonte vetëm Moska.
Gjatë një turneu në rajonin e Baltikut, Zelensky u tha gazetarëve në kryeqytetin estonez, Talin, se çdo pauzë do të rrezikonte lejimin e Rusisë të rigrupohet dhe të rrisë furnizimin e saj me municione. “Ne nuk do të rrezikojmë”, tha ai.
“Pauza nuk do të çonte në përfundimin e luftës, nuk do të çonte në dialog politik me Rusinë apo dikë tjetër… Dhe faleminderit Zotit e gjithë kjo është vendosur në Ukrainë dhe nuk do të ketë pauza në përfitim të Rusisë”, tha ai.
Në udhëtimin e tij në Lituani, Letoni dhe Estoni – disa nga mbështetësit e tij më të vendosur në Bashkimin Evropian dhe aleancën ushtarake të NATO-s – Zelensky shpreson të sigurojë më shumë ndihmë financiare dhe ushtarake dhe të diskutojë ofertat e Kievit për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE.
Zelenskiy tha se Rusia po përballej me një “deficit” municioni dhe po luftonte për të rindërtuar trupat e saj elitare.
Ai pretendoi se Rusia po negocionte blerjet e raketave nga Irani dhe se forcat ruse kishin marrë më shumë se një milion municione nga Koreja e Veriut.
Zelensky refuzoi të komentojë deklaratat e ministrit italian të Mbrojtjes se kishte ardhur koha për diplomaci në konflikt.
“Nuk kam pasur kurrë negociata të tilla me Italinë në asnjë nivel, kështu që është e vështirë për mua të komentoj”, tha ai.
Rusia e ka filluar pushtimin e plotë dhe të paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022./REL