Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë se po shkatërron çdo përpjekje për të bërë paqe dhe nënvizoi se vendi i tij nuk do të bëjë asnjë lëshimi territorial.

Ne jemi të përkushtuar për gjetjen e një zgjidhje paqësore dhe diplomatike. Dhe ne do ta ndjekim këtë si të vetmen mënyrë. Por ne jemi në tokën tonë, nuk kemi frikë nga asgjë dhe askush, nuk i detyrohemi askujt dhe nuk do t’i japim asgjë askujt. Jemi të sigurt për këtë. Sepse nuk është shkurti i vitit 2014, por shkurti i vitit 2022. Është një vend ndryshe, me një ushtri më të mirë. Por me të njëjtin qëllim, paqja në Ukrainë”.

Këto deklarata të presidentit ukrainas vijnë pas vendimit të presidentit Vladimir Putin për të njohur zyrtarisht dy rajone separatiste pro-ruse në Ukrainën Lindore, si të pavarura. Kjo thellon akoma më shumë krizën mes dy palëve dhe frika e Perëndimit për një luftë të madhe ka të ngjarë të bëhet realitet.

Pasi mblodhi Këshillin e Sigurisë, Zelensky akuzoi Rusinë për shkeljen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës dhe shtoi se kjo mund të nënkuptojë tërheqjen e Moskës nga bisedimet e paqes në Minsk që synojnë t’i japin fund konfliktit separatist.

Më tej, Zelensky tha se aleatët duhet të veprojnë dhe se ky është momenti për të parë se kush janë miqtë dhe partnerët e vendit e tij dhe kush ka vetëm fjalë.

Ndërkohë, njohjen si të pavarura nga Rusia të rajoneve separatiste të Luhanskut dhe Donbasit, Britania e Madhe e cilësoi si nisjen e pushtimit të Ukrainës.