Përparimi në fushën e betejës është më i ngadaltë se sa dëshirohej, ka pranuar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në lidhje me përparimin e kundërofensivës ukrainase për të rimarrë territorin e mbajtur nga Rusia.

“Disa njerëz mendojnë se është një film hollivudian dhe presin rezultate të menjëhershme. Por nuk është ashtu. Jetët e njerëzve janë në rrezik”, tha ai për BBC.

Deri më tani, sukseset e kundërsulmimit ukrainas kanë qenë relativisht të dobëta, duke rritur shqetësimin dhe reflektimin në Evropë dhe SHBA për rezultatet e saj përfundimtare.

Ukraina ka njoftuar rimëkëmbjen e tetë fshatrave në rajonin e Zaporizhia dhe Donetsk. Volodymyr Zelensky e justifikoi përparimin e ngadaltë duke thënë se forcat ruse kanë minuar 200,000 kilometra katrorë të territorit ukrainas.

“Çfarëdo që të duan disa njerëz, duke përfshirë përpjekjet për të na bërë presion, me gjithë respektin e duhur, ne do të vazhdojmë në fushën e betejës në mënyrën që mendojmë se është më e mira”, tha ai dhe përsëriti nevojën që Ukrainës t’i jepen garancitë e sigurisë nga NATO. Ai përsëriti se qëllimi përfundimtar është bashkimi me aleancën ushtarake.

Në lidhje me luftën, Zelensky pretendoi se Ukraina nuk do të ulet kurrë në tryezë, kushdo qoftë president në Moskë, për sa kohë që Rusia mbetet në tokën e saj.

“Pavarësisht se sa larg shkojmë në kundërsulmin tonë, ne nuk do të pajtohemi për një konflikt të ngrirë, është një zhvillim pa perspektivë për Ukrainën”, tha ai.