Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përshëndeti sot vendimin e Bashkimit Evropian për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Kievin, duke e quajtur atë një “fitore për Ukrainën” dhe “të gjithë Evropën”.
“Është një fitore për Ukrainën. Një fitore për të gjithë Evropën. Një fitore që motivon, frymëzon dhe fuqizon”, nënvizon Volodymyr Zelensky në një postim në Platformën X, në të cilën përgëzon “çdo ukrainas” si dhe Moldavinë, me të cilën BE do të fillojë gjithashtu negociatat e anëtarësimit. “Historia shkruhet nga ata që nuk lodhen kurrë duke luftuar për liri”, shtoi presidenti ukrainas.
Kievi ka marrë dritën jeshile nga liderët e BE-së, gjë që është vonuar nga refuzimi kokëfortë i Hungarisë. Megjithatë, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, njoftoi më herët sot vendimin për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë.
Komisioni Evropian rekomandoi në nëntor fillimin e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë , të cilave u ishte dhënë statusi i vendeve kandidate për t’u anëtarësuar në BE në qershor 2022.
Kryeministri ukrainas Denis Smykhal tha se vendimi i BE-së ishte një “njohje e reformave” të zbatuara nga Kievi në vitet e fundit, duke paralajmëruar se rruga e vendit për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian do të ishte “e vështirë”.
Nga ana e tij, kreu i diplomacisë ukrainase, Ndmytro Kuleba, foli për një “ditë historike”. Mbizotëron një ndjenjë: e gjithë kjo nuk ishte e kotë”, nënvizoi ai.