Ukraina nuk do të mbajë zgjedhje nën ligjin ushtarak edhe nëse Rusia e vendos këtë si një prej kushteve për negociata, deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Zgjedhjet presidenciale në vend, të cilat mund të përmbyllnin mandatin 5-vjeçar të Zelenskyt, ishte planifikuar të mbaheshin që në mars ose prill 2024.
Por votimet u shtynë pasi kushtetuta e vendit nuk lejon zgjedhjet gjatë kohës së ligjit ushtarak, i cili u shpall në 24 shkurt 2022 kur nisi dhe agresioni i Rusisë ndaj vendit fqinj.
Zelensky përsëriti se zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare nuk janë të mundshme nën ligjin ushtarak dhe nënvizoi se zyrtarët e zgjedhur vazhdojnë të kryejnë ligjërisht detyrat e tyre deri në votimin e ardhshëm.
“Pasi Ukraina arrin t’i japë fund fazës së nxehtë të luftës, ligji ushtarak mund të hiqet dhe parlamenti mund të caktojë një datë për zgjedhjet”.
“Pas përfundimit të ligjit ushtarak, nuk do të jetë e nevojshme të presim me vite për të mbajtur zgjedhjet”, – thotë presidenti ukrainas. I pyetur nëse Ukraina është e gatshme të bëjë kompromis nëse Rusia vendos zgjedhje të menjëhershme si kusht për bisedimet e paqes, Zelensky e hodhi poshtë idenë.
“Në këtë mënyrë, ne do të shkelnim legjislacionin ukrainas në emër të Putinit, i cili ka shkelur të gjithë legjislacionin tonë, sovranitetin dhe integritetin territorial”, – shprehet Zelensky.
Presidenti rus Vladimir Putin e përshkroi këtë vonesë si një manovër dhe e quajti Zelenskyn si “të paligjshëm”, duke thënë se mandati i tij ka përfunduar dhe autoriteti duhet t’i kalonte kryetarit të parlamentit Ruslan Stefanchuk.