Imazhi i tre pengjeve izraelitë të lëshuar nga Hamasi ka shkaktuar reagime të forta. Ohad Ben Ami, 56 vjeç, Eli Sarabi, 52 vjeç dhe Or Levi, 34 vjeç, mbërritën në Izrael pas 16 muajsh robëri.

Sipas Ministrisë izraelite të Shëndetësisë, tre pengjet janë të kequshqyer dhe kanë humbur shumë peshë gjatë 491 ditëve të robërisë.

“Këto janë skena të vështira”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë Dr. Hagar Mizrahi në një konferencë shtypi nga Spitali Ichilov i Tel Avivit, ku po trajtohen dy nga pengjet e liruara.

“Tre pengjet u shfaqën të dobët kur u liruan, 16 muaj pas rrëmbimit të tyre nga Kibbutz Beeri dhe festivali i muzikës Nova. Ata do të marrin trajtimin e duhur për të përmbushur nevojat e tyre fizike dhe emocionale”, tha Mizrahi.

“Krim kundër njerëzimit”

Me zemërim reaguan edhe disa politikanë ndaj pamjeve, por edhe qytetarë të thjeshtë në shumë vende.

“Izraeli nuk do ta harrojë imazhin e tre pengjeve izraelitë të dobët, të cilët u morën në një platformë në Gaza dhe u detyruan të jepnin një intervistë të organizuar nga persona të armatosur të Hamasit përpara lirimit të tyre sot”, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Presidenti izraelit Isaac Herzog protestoi kundër situatës së tre pengjeve të liruar, duke thënë se kjo përbën një krim kundër njerëzimit dhe i bëri thirrje botës të veprojë.

“Kjo është se si duket një krim kundër njerëzimit,” shkroi ai në një postim në X.

“E gjithë bota duhet të shikojë tre pengjet, të kthyer pas 491 ditësh ferri, të uritur, të dobësuar dhe në dhimbje. Na ngushëllon fakti që ata po kthehen të gjallë në krahët e të dashurve të tyre”, tha ai.

“Përfundimi i marrëveshjes së pengjeve është një detyrë humanitare. Është e nevojshme të kthejmë të gjitha motrat dhe vëllezërit tanë nga ferri i robërisë në Gaza, secilin prej tyre,” shtoi ai.