SHBA, 26 shkurt 2014 – Një zemër e realizuar me anë të një printeri 3D i ka ardhur në ndihmë një kirurgu në Louisville, në Kentaki, për të shpëtuar jetën e një fëmije 14 muajsh. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja lokale Courier-Journal, e cila thekson se modeli i printuar ishte i domosdoshëm për kirurgët që do të vendosnin mënyrën me të cilën do të ndërhynin në zemrën e vogëlushit.

Sipas të njëjtave burime, Rolandi 14 mujsh kishte lindur me 4 probleme të ndryshme në zemër. Kirurgu Erle Austin, i cili së bashku me tre kolegë të tjerë të tij realizuan ndërhyrjen e komplikuar, rrëfen se u ka treguar mjekëve të tjerë imazhet e zemrës se pacientit, por mendimet mbi mënyrën se si do të realizohej ndërhyrja kanë qenë të ndryshme. I gjendur në një situatë të tillë, Austin i është drejtuar universitetit të zonës, i cili ka ndërtuar një software në gjendje të transformojë imazhet e grafive në formatin e nevojshëm për një printer 3D.

U deshën 20 orë dhe 600 dollarë për të realizuar modelin e zemrës së Rolandit në tre pjesë të njëjta me origjinalin, por dyfish më të mëdha.

“Modeli më lejoi të realizoja ndërhyrjen me një procedurë që nuk do më shkonte asnjëherë në mendje,- shpjegon kirugu Austin. Operacioni është realizuar më 10 shkurt dhe deri tani vogëlushi është në gjendje mjaft të mirë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/