“Zemra e gjyshit” roman befasues i Enver Shëngjergjit

Mjeshtri i Madh i këngës, tenton të jetë një Mjeshtër i Madh i letërsisë

-Shëngjergji luan melodinë e shpirtit edhe në letërsi

-Sukses i padiskutueshëm i autorit në një përpjekje të jashtëzakonshme për t’ia dalë

-Emocione, drithërima, befasi dhe surpriza të pafund

-Një temë e kohës, përshkruar me ngjyrat e shpirtit

Nga BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Në maj të vitit 2021, Enver Shëngjergji gjeti mundësinë për të më dërguar romanin e tij “Zemra e gjyshit! Në faqen që vjen pas kopertinës lexohet:

-Mikut tim të mirë- Bujar Qesja. Me respekt Enver Shëngjergji.

Nuk u nguta për ta lexuar këtë libër. Doja kohën e nevojshme dhe qetësinë e përqëndrimit, që të respektoja kënaqësinë që po jepte me këtë dhuratë, miku im i hershëm Enver Shëngjergji. Dhe kisha caktuar muajin gusht, kur do të ndodhesha në Voskopojë. Pa dashur të përballem me asnjë lloj paragjykimi, para meje shtrohej dilema:

Së pari: a do ta kalonte këtë sfidë Shëngjergji, një fushë e parrahur, apo e lëruar fare pak.

Së dyti: a do të ishte i lexueshëm libri, për të justifikuar kohën dhe bindjen e kënaqësisë.

Enver Shëngjergji, është me iventar aktiv krijues në fushën e muzikës. Madje edhe dominon këtu. Po në letërsi mendova, me siguri që ngjason me një fëmijë, që rrëzohet ngrihet dhe tenton të vrapojë. Unë që po hedh në letër disa impresione për romanin e Enver Shëngjergjit “Zemra e gjyshit”, e di fort mirë që nuk kam të bëjë me Kadarenë, as me Agollin apo korifej shqiptarë të letërsisë. Aspak. Madje di të kundërtën. Qofsha i gabuar, por me sa kam hulumtuar, nuk ekziston asnjë reçencë për këtë roman dhe mbase unë jam i pari që hedh në letër “Zemrën e gjyshit”.

Unë jo se jo nuk e besoj, por nxis edhe të tjerët të veprojnë kështu, që nuk nisem aspak në mendimet e mia për veprën nga ana miqësore. Po të ishte kështu, nuk do t’ia vlente të ulesha dhe të shkruaja. Kur kam mbaruar 260 faqet e romanit “Zemra e gjyshit”, e kam puthur kopertinën e librit, e kam mbajtur gjatë në duar dhe i shkula sytë për ti vendosur tek emri Enver Shëngjergji dhe titulli “Zemra e gjyshit”. Të lumtë Enver Shëngjergji! Jam me fat që kam një mik kaq të mirë, kaq të thjeshtë, kaq bujar, kaq të zot, kaq shpërthyes edhe në letra, kaq tërheqës si vetë muzika e jote! Një roman që i kaloi parashikimet. Mënyra e ndërtimit, e konceptuar si një vepër realiste dhe e kohës dhe më pas e ndërtimit të disa linjave, i japin romanit vlerat e një krijimi të realizuar, ani se autori ka bërë emër shumë në muzikë.

Shëngjergji i paradel së “keqes” dhe e përgatit lexuesin me këtë fjali:

-Me sinqeritet të plotë ju them, se ky roman ndoshta nuk është shkruar në bazë të formave apo mënyrave klasike të të bërit letërsi. Arsimimi im nuk i përket kësaj fushe.

Ti je shumë i rezervuar këtu Enver, por 260 faqet e ndërtuar me shumë art dhe mjeshtri, e dobësojnë këtë frikë apo ngurrim tëndin. Me kurajon e një profesionisti, me dashurinë për figurat që ke ndërtuar, me fuqinë realiste të përshkrimit të ngjarjeve dhe rrethanave, ti e ke rrëzuar këtë ndrojtje aq sa, përpjekja e jote jo vetëm është e suksesshme, por vlerësohet maksimalisht nga një profesionist i letrave.

“Për ta shkruar në vënd të bojës, penën e kam ngjyer me pellgun e lotëve të syve të mi, që nuk më kanë pushuar për gati tetë vjet. Shpresoj që ky libër, të mi shterë lotët e dhimbjes, që kanë buruar prej tyre, e vëndin e tyre ta zërë shkëlqimi. Ngjarje të tilla janë më se të vërteta. Ato kanë ekzistuar që në krijimin e kësaj bote. Në kohën në të cilën jetojmë, për fat të keq ato kanë marrë përmasa të dhimbshme. Secili nga ne, nëse nuk gjen të tërën e kësaj historie, do të gjejë kapituj apo copëza ngjarjesh që i ka jetuar në mos në familjen e tij, ato do ti ketë vërejtur e përjetuar tek të afërmit e tij, tek miqtë, apo në rrethet familjare të cilat na rrethojnë”.

Në roman janë ndërthurur disa linja. Dilaver Shupali, që është në pozicionin e gjyshit, Lajla gjyshja, Agimi një emigrant shqiptar që kthehet nga Gjermania pas 24 vitesh, Drita që administron një bar bufe modest, ku ka të punësuar djalin e vëllait Ilirin, djali i Dilaverit me të shoqen dhe sidomos djali i tyre 10 vjeçar Emanueli, e bija Dilaverit Orjeta, i shoqi Devi dhe vajza Eda. Dilaveri është kompozitor dhe këngëtar i njohur, mësues muzike, pedagog, fizarmoniçist. Nipi 2 vjeçar Emanueli, së bashku me nënën dhe babain e tij largohen nga shtëpia e Dilaver Shupalit dhe shkëpusin çdo lidhje me të.

Arsyjet e këtij konflikti nuk përmënden, por Dilaveri kërkon ta shikojë nipin e tij të rritur në vite, që nuk e njihte. Emanueli ishte urdhëruar të mos e takonte kurrë atë. E ëma dhe i jati kujdeseshin, që të mos e shikonte dhe të mos e dinte se cili ishte gjyshi i tij. Kjo e shkatërronte shpirtërisht Dilaverin dhe gruan e tij. Për të mos rënë në sy, ai ndryshonte veshjen, rrinte me orë të tëra në periferi të shkollës, por nuk kishte arritur të dallonte se cili ishte nipi i tij. U dogjën nga malli Dilaveri dhe Lajla, por këmbëngulja dhe kokëfortësia e të birit me bashkëshorten ishte e pacënueshme.

Dilaveri kishte përfunduar deri në polici, pasi ishte raportuar si i dyshimtë që qëndronte me orë dhe ditë të tëra mbështetur në një trung peme, për të survejuar se çka bënin fëmijët. Kur u kuptuan se kishin të bënin me një emër shumë të njohur në botën e artit, e lënë të lirë. Agimi edhe ky personazh qendror në roman, kthehet nga Gjermania dhe kërkon të takojë shokun e ngushtë Dilaver Shupalin. Takohen me shumë mall. Sapo Dilaveri i shpjegon hallin e madh që e kishte kapluar, ai vihet në kërkim të djalit, derisa e gjen dhe ia tregon mikut të tij, i cili ngashërohet dhe nuk përmbahet nga emocionet.

Romani arrin kulmin, kur në orën e lirë mësuesja i kërkon Emanuelit se çfarë e ka Dilaver Shupalin, pasi tema e mësimit ishte që nxënësit të tregonin mbi të afërmit e tyre. Djali ngriti supet dhe i shpjegoi mësueses, se babai nuk i kishte folur kurrë për njerëzit e tij. Ai nuk dinte asgjë për gjyshin dhe gjyshen. Mësuesja i thotë se Dilaver Shupali ka botuar edhe një libër dhe se është njeri shumë i dëgjuar si kompozitor dhe këngëtar. Emanueli kërkon ta lexojë këtë libër, por mësuesja i jep shansin që ta marrë në shtëpi. Këtu zhvillohet drama më e madhe e romanit. Është një situatë e realizuar me mjeshtri nga shkrimtari Enver Shëngjergji. Ka debate në familjen e djalit të Dilaver Shupalit. Djali 10 vjeçar u kërkon llogari prindërve të tij, përse nuk i kanë folur njëherë për gjyshërit e tij. Atij i vjen turp nga shokët e klasës. Në një situatë të caktuar Emanueli, takon gjyshërit e tij nga babai dhe u thotë se nga ju s’kam për t’u ndarë kurrë.

Një linjë tjetër e romanit, është lidhja martesore e Dritës me Agimin. Agimi 55 vjeçar, beqar. Drita komshije me të, kishte humbur burrin dhe dy fëmijët në një aksident automobilistik. Agimi punësohet në lokalin e Dritës, duke zëvëndësuar Ilirin pas largimit të tij në Belgjikë. Në martesën e Agimit me Dritën, marrin pjesë e gjithë familja e Dilaver Shupalit, madje edhe vajza që jetonte në Kanada. Në roman këto faqe lexohen me një frymë. Gjuha e Shëngjergjit është e zgjedhur, me figura letrare të goditura dhe me tipizime mjeshtërore të karaktereve të personazheve.

Enver Shëngjergji sikur të kishte të shkruajturit një profesion të hershëm, e skalit lapsin e tij dhe i hedh “humus” mendimit duke e pasuruar atë, aq sa na e bën shumë të dashur Emanuelin, Dilaver Shupalin dhe Lajlën, Orjetën dhe Edën, Ilirin dhe Dritën, duke shigjetuar prindërit e djalit 10 vjeçar, të cilët nuk e di se për çfarë arsyje kishin shkëputur plotësisht lidhjen me familjen e tyre. Mbyllja e romanit është fantastike. Një gjetje e përkryer e autorit.

Në 35 vjetorin e lindjes, kompozitori dhe tenori i çquar Emanuel Shupali, ishte ai që organizoi çfaqjen e operas “Zemra e gjyshit” me libret të mbështetur në romanin me të njëjtin titull të autorit Dilaver Shupali. Salla ishte plot. Morën pjesë edhe gruaja e Emanuelit me djalin Dilenin. Ishin gjithashtu edhe Orjeta me Devin dhe vajzën Edën, që kishin ardhë enkas nga Kanadaja. Suksesi ishte i jashtëzakonshëm. Skena ishte e mbushur e tëra me lule. Para shikuesve flet Emanueli:

“ Më falni për lotët e kësaj nate. Ato nuk kanë qenë kurrë më të shumta dhe më të nxehta që kam para dhe provuar në jetën time artistike. Shumica prej tyre janë për gjyshin tim, Dilaverin, dhe gjyshen time Lajla, të cilët nuk jetojnë më. Do të doja që ata të ishin të pranishëm sonte. Por vëndin e tyre, e kanë zënë motra ime me familjen e saj.”

Mënyra se si është shkruar dhe konceptuar romani “Zemra e gjyshit”, shënon një hap para jo vetëm në debutimin me shumë sukses të Enver Shëngjergjit në këtë gjini, por edhe një arritje e vetë romanit shqiptar. Autori nuk është shumë i njohur këtu, por puna dhe këmbëngulja, frymëzimi nga një temë aktuale e realitetit shqiptar, i kanë dhënë shumë pikë. Ai guxoi dhe fitoi. Ai u përpoq dhe doli nga kjo me krenari dhe krelartësinë e një krijuesi, që tha më shumë se sa mendohej. Pena e tij tingëllon m’u si pentagramet tërheqëse të muzikës që krijoi, duke na dhënë një rol të dubluar të Enver Shëngjergjit, e pushtuar njëherazi dy fusha atë të muzikës dhe krijimtarisë letrare.

Urimet më të prekshme për këtë arritje, “Mjeshtri i Madh” Enver Shëngjergji, duke na dhënë pozicionin e një njeriu shumë kërkues, për t’u ngjitur m’u si alpinistët në majat e thepisura të maleve të romanit shqiptar, duke shënuar me plot meritë emrin tënd. Ndjehem krenar me suksesin e arritur tashmë, ku me shumë kënaqësi hodha në letër përshtypjet dhe mbresa e mia.

Suksese mjeshtër! Suksese Enver Shëngjergji! Mund të presim prej jush të tjera surpriza si kjo “Zemra e gjyshit”. Dhe të jeni i sigurtë, se keni shanse të mirpriteni. Kjo do të më gëzoj sërish pa masë.

Durrës: 4 shtator 2021

May be an image of 1 person