11 gusht 2015 – Zënia e hapësirave publike mbetet një prej problemeve që shqetëson qytetarët dhe zgjidhja e këtij problemi për fat të keq duket ende shumë larg.

Koncepti i zënies së hapësirave publike është i gjerë që nga ato në plazhe e deri tek tavolinat e bareve dhe lokaleve, apo te zënia e hapësirave të parkimit të mjeteve me karrige, goma makinash apo vazo lulesh.

Kjo është një praktikë që sa vjen dhe zgjerohet, pasi ky problem asnjëherë nuk është marrë seriozisht nga strukturat përkatëse në bashki. Dhe zgjidhja e këtij problemi nuk është i vështirë nëse ka vullnet për t’i dhënë zgjidhje problemeve që shqetësojnë qytetarët. Vendosja e rregullit nuk bëhet me aksione që nuk lënë asnjë gjurmë, por duke punuar çdo ditë në terren në përmbushje të detyrave funksionale dhe zbatim rigoroz të ligjit.

Toleranca e shfrenuar në këtë drejtim ka sjellë këtë situatë që kemi sot, ku çdokush është i lirë të zaptojë hapësirën që ka përpara banesës apo biznesit të tij, madje disa të gatshëm të “privatizonë” dhe detin.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/