Lionel Mesi duket se po përjeton një periudhë të tensionuar te Barcelona teksa së fundmi është kapur me ish-futbollistin Erik Abidal. Francezi, i cili tashmë është në rolin e sekretarit teknik te katalanasit, gjatë një interviste kur po shpjegonte arsyet e largimit të Valverde theksoi se ish-tekniku kishte pakënaqësi dhe një marrëdhënie jo shumë të mirë me disa lojtarë.

Raporti i Mesit me Valverden është diskutuar shpeshherë, ndaj fjalët e Abidal mund të interpretoheshin si të drejtuara për “pleshtin”. Dhe kjo, nuk i pëlqeu aspak 32-vjeçarit i cili qortoi Abidal për mënyrën e të folurit, ndërsa i kërkoi të tregonte emrat e atyre që nuk kishin raport të mirë me Valverden, për të mos i përgjithësuar të gjithë futbollistët. Në këtë formë, në klub u krijua një situatë e tensionuar ndërsa presidenti Bartomeu zhvilloi një mbledhje urgjente me Abidal.

Në fakt, pritej shkarkimi i ish-futbollistit, por presidenti e konfirmoi. Një vendim që mund të ketë lënë të pakënaqur Mesin, i cili në asnjë moment nuk ka pasur marrëdhënie të mirë me Abidal. Ndaj, tashmë kanë nisur të hapen me shpejtësi zërat se sulmuesi po mendon të largohet nga Camp Nou.

Mesi ka një kontratë deri në vitin 2021, por ka edhe një opsion që e lejon të largohet në verë pa iu detyruar asgjë klubit.Sakaq, Mançester Siti ka qenë gjithnjë e tërhequr pas argjentinasit, ndërsa kërkon ta bashkojë me trajnerin Guardiola për të nisur sërish një tjetër cikël fitues. Ndërkohë, duke monitoruar situatën e Mesit janë edhe PSG, Juventus, Mançester Junajtid dhe Inter.