ELBASAN 9 tetor 2013 –  Katër persona janë plagosur me thikë mbrëmjen e sotme në fshatin Shushicë të Elbasanit. Burime nga policia bëjnë të ditur se shkak i ngjarjes ka qenë një konflikt mes të plagosurve, të cilët mësohet se janë krushq me njëri-tjetrin, dhe dy personave të tjerë, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur. Sipas policisë, autorët e ngjarjes kanë tentuar të largohen me një kamionçinë, me targa AA707DJ, por janë ndaluar pak kilometra larg vendit të ngjarjes. Momentalisht ata janë dërguar në komisariat, ku po japin dëshminë e tyre rreth ngjarjes, ndërsa pritet të përballen me drejtësinë nën akuzën e plagosjes me dashje. Shkaqet e konfliktit mbeten ende të paqarta, ndërsa policia po punon për të zbardhur ngjarjen. 

/balkanweb/