Efektivja e policisë së Elbasanit Anisa Kostani, e cila u bë e famshme për faktin se mbante si kafshë shtëpiake një gjarpër është kapur sot me gazetarët në lidhje me raportimet mbi ngjarjen kriminale që ndodhi mbrëmjen e djeshme në këtë qytet, ku u vra Madrit Ulqinaku.
Duke ju referuar artikujve të shkruar në media, nënkomisarja i drejtohet gazetarëve ndërsa i bën ata përgjegjës për një pasqyrim jo të drejtë të situatës me krimin në qytet.
Ajo thekson se policia e Elbasanit është në krye të detyrës dhe se janë duke bërë një punë të shkëlqyer.
“Duke marrë shkas nga disa pseudo gazetarë/e, që iu duket vetja si të arrirë në profesion, por në fakt në shkrimet e tyre nuk shpalosin gjë tjetër veç se inat personal dhe injorancë, ju bëj me dije se: Policia Elbasan nuk ka qenë asnjëherë kaq aktive sa sot, nuk ka pasur asnjëherë kaq arritje sa sot, po çkërkoni ju?
Zero vrasje, zero plagosje, zero çdo lloj krimi tjetër vetëm në Parajsë ka; nëse e keni me qejf jeni të lirë të shkoni, por kujdes mos digjeni ne Ferr rrugës! E nëse do t’ju drejtohesha dhe Unë me të njëjtin fjalor si ju, edhe pse sma lejon etika, por po e bëj sepse s’po mbaj rezerva me ju të degjeneruar; i keni pas profesorat Don Juan-a që ju kanë dhënë shkollën, sepse me e pas marrë me meritë, të paktën do dinit te artikuloheshit dhe mos të paragjykonit, por të shihnit statistikat dhe të vinit me një gjykim. E kjo quhet punë, jo “Ilogjet e kafeve” që zhgaravisni ju si kodra pas bregut lart e poshtë nëpër rrjete sociale, mendoj për të vetmen arsye që të merrni pak vëmendjen e munguar.
Nëse dëshironi, ua jap unë këtë mundësi duke ju bërë dhe tag, sepse kam jo pak shikueshmëri. Banorët në Elbasan duhet të ndërgjegjësohen, të arsimohen e të kulturohen që në vogëli; e kjo është punë individuale dhe e familjes, jo e Policisë, por tashmë keni mësuar mirë të drejtoni gishtin drejt Policisë, sepse aq dini dhe aq bëni!”, shkruan ajo.